Stafi i Co-PLAN

Dritan SHUTINA PhD është Drejtori Ekzekutiv i Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit, që prej vitit 2005, të cilin e bashkë-themeloi që në vitin 1995. Gjithashtu ai është një nga themeluesit e Universitetit POLIS, Shkolla Ndërkombëtare e Arkitekturës dhe Politikave të Zhvillimit Urban, ku ai është lektor i lëndës “Planifikimi Strategjik dhe Manaxhim i Ciklit të Projektit”. I diplomuar në Inxhinieri Civile, Z. Shutina ka kryer studimet Pas-Universitare pёr “Politika Publike”, “Vlerësimi i Tokës dhe Ndërtimeve”, “Zhvillimi Urban dhe Qyteti”, nё “Lidership dhe Sipërmarrje” nё Universitete Europiane dhe Amerikane. Z. Shutina ka kryer studimet e doktoraturës në fushën e arkitekturës dhe planifikimit urban. Ekspert Institucional dhe Qeverisës, me mbi 20 vjet eksperiencë në çështjet e qeverisjes, planifikimit strategjik, proceseve pjesëmarrëse dhe zhvillimit rajonal. Ai ka përvojë të gjerë në kapacitetin e Ekspertëve të Zhvillimit Rajonal dhe Qeverisjes në projekte të tilla si Programi i Zhvillimit Rajonal dhe Mbështetja e Integruar për Decentralizimin. Ka bashkëpunuar me shumë programe / projekte të financuara nga donatorët (si në Shqipëri dhe më gjerë) duke përfshirë edhe me BE-në, Bankën Botërore, Agjencinë Austriake për Zhvillim, Bashkëpunimin Zviceran për Zhvillim, USAID, Qeverinë Holandeze, etj.

Rudina TOTO PhD është eksperte në fushën e Menaxhimit Urban dhe Mjedisor dhe qeverisjes së mirë territoriale me një përvojë profesionale mbi 17 vjet. Ajo ka njohuri të thella mbi Planifikimin Urban dhe Rajonal si dhe atë Mjedisor, si nga arsimi ashtu edhe nga përvoja. Ajo ka kryer studimet në Universitetin Politeknik të Tiranës, Universitetin e Wageningen dhe në Universitetin IHS-Erasmus në Roterdam Hollandë, si edhe studimet e doktoraturës sipas një programi të përbashkët ndërmjet Universitetit POLIS Shqipëri dhe Universitetit Ferrara në Itali. Rudina ka eksperiencë për menaxhim dhe ekspertizë teknike në projekte për përgatitjen e planeve urbane, strategjive të zhvillimit të qytetit dhe planeve hapësinore mbi bazën e sistemeve të informacionit territorial, si dhe ekspertizë në çështjet e rajonalizimit të qeverisjes dhe të zhvillimit rajonal. Ajo ka eksperiencë të gjerë në planifikimin me pjesëmarrje, menaxhimin e mbetjeve të ngurta dhe analizat e sistemeve mjedisore; në vlerësimet strategjike mjedisore; në punë kërkimore për politika publike, analiza institucionale, analiza të fizibilitetit dhe vlerësimet sociale; një seri punimesh të botuara në planifikimin hapësinor, rajonalizimin dhe çështjet mjedisore.

Anila BEJKO, Eksperte në Financat Publike dhe Menaxhim Urban, kandidate për PhD për Politikat e Zhvillimit Urban. Fal arsimit dhe përvojës znj. Bejko ka njohje në Menaxhim Urban, Qeverisje dhe Financa Publike. Ka kontribuar në politikëbërje dhe dialogun e politikave për Reformën Administrative Territoriale, Rajonalizimin, Decentralizimin dhe Çështjet e Decentralizimit Fiskal. Menaxhim në projektet për përgatitjen e planeve zhvillimore strategjike, planet rregullatore urbane, programet buxhetore afatmesme, planet e investimeve kapitale, instrumentet e menaxhimit të tokës dhe studimet e fizibilitetit. Përvojë të gjerë në Partneritetet Publiko Private, Menaxhimin e Tokës, Zhvillimin e Infrastrukturës dhe Kontrollin e Kostove të projekteve. Kualifikimet akademike përfshijnë gjithashtu Master të Nivelit të Dytë në Administrim Biznesi dhe studime pasuniversitare në Financat Publike, Marrëdhëniet Fiskale Ndërqeveritare dhe Menaxhimin Financiar Vendor, si dhe Rregullimin e Formimit Informal dhe Menaxhimin e Tokës. Znj. Gjika është udhëheqëse e Njësisë për Qeverisje Lokale dhe Rajonale në Co-PLAN dhe Lektore në Universitetin POLIS.

Ogerta GJIKNURI është pjesë e Co-PLAN që prej 2010, si eksperte për menaxhimin e financave. Ajo ndihmon në zhvillimin e politikave financiare të organizatës dhe është e angazhuar në trajnimin për menaxhimin financiar të OJF-ve dhe partnerëve privat. Ajo është mbështetja kryesore e Co-PLAN në ruajtjen e një sistemi financiar efikas, një sistemi adekuat të monitorimit dhe raportimit të brendshëm financiar, si dhe një sistem transparent të auditimit të brendshëm për projektet. Ogerta është përfshirë aktivisht në planifikimin dhe menaxhimin financiar të projekteve të financuara nga BE-ja, si “Zhvillimi dhe përshtatja e programeve profesionale për efikasitetin e energjisë në Ballkanin Perëndimor”, “Zhvillimi i ENV.net në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi, “Qyteti për Qytetarët, Qytetarët për Qytetin”, “Kulturat e Sigurisë së Trafikut dhe Qasja e Sistemeve të Sigurisë – Drejt një Agjende për Hulumtim dhe Avancim të Ndryshimeve Kulturore”.

Aida CIRO është eksperte në fushën e komunikimit strategjik me fokus në proceset e zhvillimit urban dhe është e angazhuar në projekte të shumta që synojnë krijimin e qyteteve ose përmirësimin e disa çështjeve të lidhura me qytetet, si: planifikimi me pjesëmarrje, aktivizmi urban dhe lehtësimi / moderimi i trajnimeve dhe workshopeve, dhe lehtësimi në shpërndarjen e njohurive dhe nëpërmjet mjeteve online dhe offline. Ajo ka një përvojë të gjerë duke punuar me grupe të ndryshme, vendimtare për procesin e ndryshimeve në një qytet, përfshirë autoritetet e pushtetit vendor, mediat dhe sektori privat dhe grupe të ndryshme interesi.

Merita TOSKA PhD iu bashkua Co-PLAN, Institutit për Zhvillimin e Habitatit në vitin 2015, si Eksperte për Zhvillimin Ekonomik dhe Financat, pas një experience 8 vjeçare pranë Bankës së Shqipërisë. Ajo kreu studimet universitare në “Ekonomi dhe Biznes” në vitin 2004 dhe studimet pasuniversitare për “Ekonomi dhe Administrim Biznesi” në Universitetin e Bolonjës, Itali në vitin 2007. Në vitin 2014, mori titullin Doktore Shkencash (Dr) në “Tregje dhe ndërmjetësues financiarë” në të njëjtin universitet. Autore dhe bashkë-autore e disa studimeve ndër të cilët: “Vendet e Ballkanit: rruga drejt konvergjencës (ekonomike) nominale”, 2016; “Drejt programimit rajonal operacional”, 2016 etj.. Fushat e ekspertizës dhe interesat kërkimorë përfshijnë: zhvillimi ekonomik dhe financiar, menaxhimi i financave publike, sipërmarrje dhe planifikim biznesi etj.

Zenel BAJRAMI është Ekspert i Qeverisjes Territoriale. Ka përfunduar studimet bachelor në Departamentin e Planifikimit Urban dhe Rajonal, në Universitetin Teknik të Lindjes së Mesme, në Turqi. Kualifikimet e tij të mëtejshme përfshijnë aspektet e planifikimit, pasurive të patundshme, menaxhimit të mjedisit, planifikimit të transportit. Duke punuar për Co-PLAN që nga viti 2011, ai është angazhuar në projekte në lidhje me zbatimin e legjislacionit të ri për planifikimin e territorit. Ai ka luajtur një rol thelbësor në përgatitjen e planeve të përgjithshme territoriale lokale për një numër bashkish në vend. Zeneli është asistent pedagog në Universitetin POLIS për kurset në hartimin e politikave, strategjitë rajonale dhe urbane për zhvillim dhe dizajn urban.

Ledio ALLKJA aktualisht punon për Co-Plan në cilësinë e Planifikuesit Urban. Ai gjithashtu është kandidat për doktoraturë në TU VIENE. Ka mbaruar studimet bachelor pranë Universitetit West of England në Bristol në degën e Zhvillimit të Pronave dhe Planifikim Urban. Më pas ka vijuar studimet master në Universitetin Radboud të Nijmegen në degën Planifikim Hapësinor dhe Mjedisor Europian. Pas studimeve ka filluar të punojë si asistent lektor dhe planifikues urban pranë Unviersitetit POLIS. Përtej aspektit të mësimdhënies, ka qënë i përfshirë në projekte të ndryshme për hartimin e planeve vendore të tilla si Zagoria, Krume, Shkodër. Gjithashtu, për një periudhë 2 vjeçare Ledio ka punuar pranë Ministrisë së Zhvillimit Urban si Përgjegjës i Sektorit të Planifikimit Rajonal dhe Vendor. Ai është përfshirë në hartimin e Planit të Përgjithshëm Kombëtar të Shqipërisë si dhe në Planin e Integruar Ndërsektorial për Tiranë-Durrës.

Rodion GJOKA është Ekspert Mjedisi që udhëheq Njësinë Urbane të Menaxhimit të Mjedisit në Co-PLAN. Ai ka mbi 6 vjet përvojë të gjerë në punime, projekte, studime, programe dhe politika mjedisore, si dhe në vlerësimin dhe analizën mjedisore. I përfshirë që herët me anën sociale, arsimin joformal dhe qëndrueshmërinë për të vazhduar me zhvillimin rajonal dhe lokal me focus në zhvillimin e infrastrukturës së menaxhimit të mbetjeve, furnizimit me ujë, ujërave të zeza, dritës publike, efikasitetit të energjisë, mbrojtjes së mjedisit, mbrojtjen e trashëgimisë historike dhe arkeologjike, ndihmën e shoqërisë civile në ngritjen e njohurive dhe kapaciteteve, metodologjitë dhe teknikat e vlerësimit, vlerësimin dhe menaxhimin e granteve, metodat e hulumtimit dhe analizën e të dhënave, raportimin dhe menaxhimin e burimeve.

Fiona IMAMI është Planifikuese Urbane, e cila punon në Co-PLAN që prej vitit 2014. Ka studiuar Planifikim dhe Manaxhim Urban dhe ka një diplomë master në Strehim dhe Manaxhim Toke nga Universiteti Polis. Aktualisht është përfshirë si Eksperte Lokale për Zhvillimin Rajonal, në Programin për Zhvillimin Rajonal në Shqipëri. Përvojat e saj përfshijnë: ekspertiza teknike në vlerësimin e situatës së zhvillimit ekonomik, analizimin e çështjeve territorial dhe përpilimin e strategjive si pjesë e ekipit për hartimin e Planeve të Përgjithshme Vendore në tetë Bashki në Shqipëri. Pedagoge e jashtme në fakultetin e Planifikimit dhe Manaxhimit Urban, Universiteti Polis. Fiona është bashkë-autore në botime si: “Manuali Teknik për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit”, “Strategjia e Zhvillimit për Territorin e Bashkisë Lushnje”, “Përcaktimi i Rajoneve Zhvillimore të Shqipërisë”, “Plani i Përgjthshëm Vendor i Bashkisë Mat”.

Kejt DHRAMI punon si eksperte e planifikimit urban në Departamentin e Menaxhimit Urban dhe Rajonal të Co-Plan, si dhe si lektore në Universitetin Polis. Fushat e saj të ekspertizës përfshijnë planifikimin hapësinor, rajonal dhe urban, qeverisjen, menaxhimin e tokës dhe politikat e tregut të tokës. Nga pikëpamja akademike, ka kryer studimet për Planifikim dhe Menaxhim Urban, dhe aktualisht është studente e doktoraturës në Programin IDAUP, Universiteti i Ferrarës dhe Universiteti Polis. Angazhimi i saj profesional përfshin kontribut në hartim planesh vendore, projekte në shkallë urbane, studime socio-ekonomike, shkrime projekt-propozimesh, programe të zhvillimit rajonal, projekte të zhvillimit të komunitetit dhe turizmit, etj. Kejt ka marrë pjesë në disa programeve të shkëmbimit akademik, trajnime, dhe konferenca ndërkombëtare.

Anisa DOKO është Asistente pranë departamentit të Financave në Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit. Diplomuar për Kontabilitet –Financë në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë, Anisa ka kryer studime pas-univeristare Master Profesional për Banka dhe Sigurime në Universitetin Europian të Tiranës. Ka një eksperiencë për më tepër se 6 vitesh si Specialiste Finance në një Institucion mikrofinance jo-bankë; gjithashtu ka punuar si Audit i brendshëm për më shumë se 2 vite duke dhënë siguri risku, vlerësim për rezikun potencial në sektorin privat. Zotëron njohuri të mira të sistemit bankar dhe atij të sigurimeve.

Esmerina HIDRI është Asistente Kërkimore në Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit.Esmerina ka studiuar Planifikim Urban në Universitetin Polis. Përgjatë viteve akademike është angazhuar me projekte të niveleve të ndryshme brënda universitetit dhe jashtë tij. Studimet e saj e kanë lejuar të ketë përvoja dhe praktika të ndryshme nga Plani i Detajuar Vendor (PDV) deri te Krijimi i Modeleve të Qëndrueshëm dhe zhvillimi i metodologjive të reja në planifikim urban, të aplikuara në fushën e zhvillimit të turizmit, të mbështetur nga projekte të ndryshme. Duke theksuar këtu edhe pjesën praktike/profesionale dhe kulturore, të qënit pjesë e Mobilitetit Studentor, Erasmus + KA1, ishte një përvojë nga e cila u fitua fleksibilitet në bashkëpunimin me profesionistë të tjerë dhe zhvillim të njohurive të saj mbi planifikimin dhe promovimin e peizazhit kulturor.

Gerti DELLI ka mbaruar studimet për Planifikim Urban në Universitetin Polis në Qershor 2013. Në studimin e tij të diplomës: “Tranziti i mallrave nëpërmjet infrastrukturës ujore në bregdetin Shqiptar”, ai fokusohet në rëndësinë e rolit të transportit detar (porteve të mallrave) në ekonominë kombëtare. Që prej diplomimit, Gerti ka punuar në Co-PLAN, Institutin për Zhvillimin e Habitatit, si planifikues urban, në cështje të transportit urban dhe planifikimit hapësinor. Nga viti 2015 ka qenë pjesë e projektit TRASACU të financuar nga HORIZON 2020. Ky projekt fokusohet në kulturën e transportit të përdoruesve të ndryshëm të rrugëve, në qytete të ndryshme europiane. Momentalisht ai është lektor në Universitetin Polis, në lëndën “Politika të transportit dhe menaxhimit të trafikut”.

Imeldi SOKOLI ushtron aktivitetin e tij profesional si Planifikues Urban pranë Co-PLAN, Insitutit për Zhvillimin e Habitatit, që prej vitit 2015. Kryesisht gjatë experiences së tij të punësimit është përfshirë në Hartimin e Planeve të Përgjithëshme Vendore të Bashkive: Elbasan, Fier, Berat, Lushnje, Kuçovë dhe Mat në Republikën e Shqipërisë. Z.Sokoli është diplomuar në vitin 2014, në nivelin Master i Shkencave, në degën Planifikim dhe Menaxhimit Urban me rrezultate të shkëlqyera, pranë Unriversitetit Polis në Tiranë. Diplomuar me tezën e diplomës: ‘Hartimi i një vizioni hapsinor për zhvillimin e rajonit ndërkufitarë Shkodër-Podgoricë dhe zonat përreth Liqenit të Shkodrës, nëpërmjet Instrumentit të Bashkëpunimit Ndërkufitarë si instrument i BE-së”.

Oreola CALIQI është e diplomuar në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin Ekonomik për Administrim Biznesi. Me eksperiencë pune si kontabiliste në biznesin privat dhe pastaj në organizatë jo-fitimprurëse. Duke punuar në sektorin e financës ka fituar njohuri rreth ligjit për Kontabilitetin, Procedurat Tatimore, Tatimi mbi të Ardhurat, Kontributet për Sigurimet Shoqërore e Shëndetësore. Znj. Caliqi ka eksperiencë në mirëmbajtjen dhe kontrollin e llogarive, në kryerjen e transaksioneve financiare, në përgatitjen e pasqyrave financiare për kompani te ndryshme, në përgatitjen e raporteve për projektet në organizatë jo-fitimprurëse. Gjithashtu njohje të praktikave që duhen ndjekur dhe marrëdhënieve që duhen mbajtur me institucionet, organet tatimore dhe bankat.

Pranvera RIRA mban postin e Asistentit Ekzekutiv në Co-PLAN. Kualifikimet e saj akademike përfshijnë një Master në Ekonomi dhe Agrobiznes nga Fakulteti Ekonomik i Universitetit Bujqësor i Tiranës. Para se të bashkohej me ekipin e Co-PLAN, ajo është  angazhuar në manaxhim të një institucioni arti si dhe me Rotaract Club Tirana.

Altion QIRKO që prej vitit 2008 punon si shofer administrate në Co-PLAN. Fal eksperiencës së tij të gjatë në Co-PLAN ai njeh mirë se si të zgjidhë e menaxhoj punën edhe në situata të vështira.

Paola ZHAMO është një Specialiste Mjedisi (Junior) pranë Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit. Ajo ka një përvojë akademike në Planifikim dhe Menaxhim Urban në Universitetin Polis dhe është angazhuar vazhdimisht pranë Co-PLAN; fillimisht duke punuar me kohë të pjesshme përgjatë periudhës së studimeve dhe tanimë duke punuar me kohë të plotë. Duke kombinuar personalitetin e saj praktik me interesin për temat mjedisore, ajo ka qenë e përfshirë në projektin “Mushkëri të Gjelbra për qytetet tona” duke ndihmuar bashkitë të vlerësojnë përfitimet e gjelbërimit urban. Gjithashtu, Paola ka qenë pjesë e një tjetër projekti të financuar nga “BRIGAID”, në Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit në Shqipëri ku zhvilloi më tej aftësitë e saj në planifikimin urban dhe mjedisor. Interesat e tjera të Paolës përfshijnë aftësinë ripërtëritëse urbane dhe ndryshimet klimatike.

Viktor MËRKURI është Ekspert i Shërbimeve Juridike në fushën mjedisore me përvojë profesionale dhe akademike në Greqi, Itali dhe Sllovaki. Ai ka kryer studimet pranë Universitetit Europian të Tiranës në nivelin bachelor dhe master dhe është liçensuar si Avokat pranë Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Ai ishte angazhuar si Ekspert Ligjor për Programin Mjedisor të Kombeve të Bashkuara në Zhvillimin e Kapaciteteve të Shqipërisë për angazhim efektiv me Fondin e Gjelbër të Klimës, dhe Ekspert Mjedisi për Programin e Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara në zbatimin e Traktatit Ndërkombëtar për Burimet Gjenetike-Bimore për Ushqimin dhe Bujqësinë në kuadër të Protokollit të Nagoya-s për qasjen dhe ndarjen e përfitimeve në Republikën e Shqipërisë. Ai ka qënë i angazhuar për disa vite si Pedagog i brendshëm pranë Fakultetit Juridik në UET, Menaxher Projektesh pranë Fondacionit për Liri Ekonomike si dhe UET Consulting and Enterprise, dhe Drejtor i Projekteve dhe Mbështetjes së Sipërmarrjes për Diasporën Shqiptare. Fushat e tij të ekspertizës shtrihen në kryerjen e vlerësimeve ndaj aspekteve socio-mjedisore, sistemet e menaxhimit të mbetjeve të ngurta në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme; Analiza ligjore mbi mjedisin dhe politikat për çështjet klimatike, masave rregullatore dhe politikave qeveritare për axhendën e mjedisit me fokus menaxhimin e mbetjeve dhe riciklimin brenda ekonomisë qarkulluese të BE-së.

Klesta GALANXHI ofron përvojë të gjerë në projekte të ndryshme, me fokus dizajnin dhe fotografinë. Ajo ka eksperiencë në krijimin e përmbajtjeve vizuale, dizajnin grafik dhe dixhital, përmbajtjen e videove për projekte promovuese dhe jo-promovuese për kanalet offline dhe online, siç janë mediat sociale dhe web. Klesta iu bashkua ekipit të co-PLAN në vitin 2020 si pjesë e Departamentit të Komunikimit. Ajo aktualisht mban rolin e Ekspertes së Multimedia dhe është përgjegjëse për krijimin e përmbajtjes vizuale. Klesta filloi karrierën e saj profesionale në Albanian University si lektore me kohë të pjesshme në Departamentin e Dizajnit. Më vonë ajo ka punuar në disa kompani Video dhe Advertising, në post-produksion televiziv apo revista online si grafik dizajner. Klesta ka një diplomë master dhe një diplomë bachelor nga Universiteti i Arteve, Tiranë, për Multimedia dhe Art Pamor.

Desjana GRYMSHI është specialiste e medias dhe komunikimit në Co-PLAN, bashkuar së fundmi njësisë së komunikimit. Ajo ka studiuar Menaxhim Agrobiznesi në Universitetin Bujqësor të Tiranës, dhe gjithashtu është diplomuar në Marketing Agrar në Institutin Agronomik Mesdhetar në Zaragozë, Spanjë. Gjatë qëndrimit të saj në Spanjë ajo ka qënë në pozicionin e Coordinatores së studentëve përgjatë gjithë vitit akademik në po të njëjtin vënd ku kryente studimet e Masterit. Vitin e dytë të studimeve të Masterit asaj ju dha mundësia e kryerjes së një praktike kërkimore në Universitetin e Extremadurës. Së fundi ajo ka zhvilluar gjithashtu një praktik në Departamentin e Kërkimit në Parlamentin e Shqipërise..

Elvis NDREKA është Inxhinier Mjedisi, diplomuar në Universitetin Politeknik të Tiranës dhe punon në rolin e Ekspertit të Mjedisit pranë Njësisë së Mjedisit në Co-PLAN. Ai ka mbi 8 vite përvojë në disa fusha, të lidhura me institucionet publike, shoqëritë private të ndërtimit dhe organizata shumë aktive në vend. Gjatë kësaj periudhe është përfshirë në zhvillimet lokale të planifikimit dhe menaxhimit, e më tej ka qenë pjesë e zhvillimeve të shumta dinamike në infrastrukturë, ndërtim e mjedis, duke u angazhuar në projekte të furnizimit me ujë, ndërtime civile dhe industriale duke realizuar ekpertizë tekniko-analitike, vlerësim dhe auditim mjedisor dhe energjitik, konsulencë në zbatim punimesh dhe menaxhim asetesh për ujësjellesa. Është çertifikuar si Ekspert Mjedisi, si projektues dhe auditues i sistemeve energjitike.

Share this Page